Pas një viti pjesë e Kapitenerisë së Portit të Durrësit, si inspektorja e parë femër në këtë pozicion, Elmira Xhafa, ka një mesazh për të rinjtë 06.02.2020

Elmira është vetëm 25-vjeçe dhe uniformën që mban veshur që pas marrjes së detyrës së Inspektores së Kapitenerisë së Portit të Durrësit, ka mësuar ta dashurojë e t’a trajtojë si pjesë të pandashme të përditshmërisë së saj. Ajo është një nga vajzat e pakta që ka thyer tabunë e përhapur se detarët duhet të jenë vetëm meshkuj.

Pasi përfundoi studimet në degën e Navigacionit të Universitetit të Vlorës, Elmira prej një viti punon në Kapitenerinë e Portit të Durrësit. “E kam nisur shkollën e lundrimit, vetëm sepse në Berat, qytetin ku jetoja më kishte pëlqyer një uniformë marinare” – tregon Elmira, një vit pasi ka dhënë tjetër drejtim jetës së saj, jo vetëm profesionale. Ajo thotë se nuk do t’a ndërronte kurrë profesionin e saj të bukur, duke shtuar se mezi pret që t’i krijohet mundësia të punojë në tragetet e linjave si oficere.

Në portin e Vlorës ku ka punuar me forcat e sigurisë, si dhe në portin e Durrësit, Elmira Xhafën e respektojnë të gjithë. Ajo shprehet entuziaste që në Universitetin e Vlorës dhe në atë të Durrësit ku funksionojnë fakultetet e detarisë, është shtuar numri i vajzave që po studiojnë në degët e Navigacionit.

Elmira Xhafa ka një mesazh për maturantet që po përfundojnë shkollat e mesme: “Unë i ftoj vajzat që t’a ndjekin degën e navigacionit, pasi tashmë nuk është një shkollë vetëm për djem, por edhe për vajza. Mbi të gjitha është një profesion shumë i bukur”.