Përballimi i fluksit të udhëtarëve, nisin lundrimet e dyfishta/ 20 dhjetor 2023

Festat e fundvitit,  të cilat rikthejnë në vendin tonë me qindra bashkëatdhetarë hapin siparin e sezonin e lartë të hyrje-daljeve të udhëtarëve në Portin e Durrësit, i cili përgjatë muajit dhjetor është i përqëndruar në hyrje.

Që prej datës 21 dhjetor, tragetet e linjave detare të cilat operojnë me shtetin fqinj, Italinë, fillojnë të operojnë me lundrime të dyfishta “dopio corse” (vatje-ardhje brenda ditës me qëllim përballimin e fluksit të lartë të pasagjerëve.)

20 sportele janë vënë aktualisht në funksion të përpunimit të udhëtarëve në Portin e Durrësit, me qëllim përballimin e volumeve të larta të pasagjerëve përgjatë këtij sezoni festiv, ndërkohë që në funksion të fluksit progresiv ka nisur dhe aplikimim i masave shtesë të shërbimeve në Terminalin e Trageteve,  të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve.

Përgjatë periudhës janar-nëntor 2023, janë përpunuar rreth 770 mijë pasagjerë dhe 265 mijë automjete kanë lundruar nga/drejt portit të Durrësit, duke reflektuar një rritje në masën 3,3% sa i përket transportit të pasagjerëve me tragete në raport me janar-nëntorin e vitit paraardhës.