Përfaqësia e APD në Bari: së shpejti implementohet sistemi GAIA edhe në portin e Durrësit

-Në portin italian punohet për dyfishimin e sporteleve për udhëtarët dhe automjetet-

Një përfaqësi e APD, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj, zhvilloi të enjten një vizitë pune në Portin e Barit (Itali).

Z. Bakaj dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, z. Adrian Haskaj, u pritën nga Presidenti i Autoritetit portual të Adriatikut jugor, Ugo Patroni Griffi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Autoriteteve Portuale, z. Tito Vespasiani.

Në takimin që u zhvillua në mjediset e Autoritetit të Sistemit Portual të Adriatikut Jugor, që përfshin portet e Barit, Manfredonias, Barletës dhe Monopolit, u hartua marrevëshja per dorëzimin e platformës softëare “GAIA”, e cila do të nëshkruhet nga palët në ditët në vijim, duke i hapur rrugë implementimit dhe përshtatjes së saj në Portin e Durrësit.

Kjo platformë IT (softëare aplikativ), i është vënë në dispozicion gratis Autoritetit Portual Durrës, si pjesë e “Memorandumit të Mirëkuptimit ”, me objektiv rritjen e kontrollit dhe sigurisë për udhëtarët, mjetet dhe mallrat midis dy Porteve tona, si dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për pasagjerët.

Nga ana tjetër pala italiane bëri me dije se brenda muajit qershor pritet dyfishimi i kapacitetit të sporteleve të udhëtarëve, që mbërrijnë dhe udhëtojnë nga Bari drejt portit të Durrësit.

Përfaqësia e APD zhvilloi vizita edhe në mjediset portuale, veçmas në Terminalin e Udhëtarëve të portit të Barit.