Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë nga Estonia, vizitë në APD

Një grup biznesmenësh nga Estonia, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së këtij vendi vizituan sot paradite portin e Durrësit.

Ata u pritën nga Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD, z. Gazmend Shalsi, i cili i njohu me situatën aktuale në portin më të madh të vendit tonë. Duke iu përgjigjur interesimit të biznesmenëve estonezë, z. Shalsi foli më pas për kapacitetet e portit të Durrësit, si dhe për të ardhurat kryesore që sigurohen nga përpunimi i trageteve, udhëtarëve, kontejnerëve, etj. Ai tha se pjesën më të madhe të eksporteve nga porti e zenë mineralet, klinkeri dhe çimento, etj.

Grupi i përfaqësuesve të Dhomës së tregtisë së vendit verior, që drejtohej nga sekretari I përgjithshëm I Dhomës ndërkombëtare të Tregtisë, Tiit Tammemagi, u interesua më pas për hapësirat e investimit në vendin tonë, si në energjitikë, në bujqësi dhe në turizëm.

Grupi i zgjeruar i biznesmenëve nga Estonia vizitoi më pas Terminalin e Mallrave Gjenerale, i cili administrohet nga Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e APD.

Republika e Estonisë ndodhet në Evropën veriore. Ajo ka një popullsi prej rreth 1.4 milion banorë dhe një sipërfaqe prej 45.226 km katrore. Kryeqyteti i Estonisë është Talini.