Një grup përfaqësuesish të kompanive kineze të transportit dhe jo vetëm, kanë vizituar sot paradite portin më të madh të vendit tonë.
Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ata u pritën nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Artjan Qirici, i cili prezantoi një pasqyrë të zhvillimeve portuale.
Duke vlerësuar bashkëjetesën simbiozë mes portit dhe qytetit, Z. Qirici e quajti një rast shumë të mirë praninë e kryebashkiakut Dako, në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” si strategji zhvillimore kineze, dhe qw synon bashkëpunimin mes vendeve të Evropës dhe Azisë. Kjo nismë i bën bashkë interesat e APD me ato të bashkisë së Durrësit.
Për afro një orë përfaqësuesit e kompanive kineze u njohën me të dhënat dhe kapacitetet e portit të Durrësit.
Ditët e fundit në portin e Durrësit kanë mbërritur edhe përfaqësues të kompanive nga Italia, ndërsa kanë paraqitur interesin e tyre edhe firma e kompani nga Japonia.