Rritja e nivelit të bashkëpunimit me qëllim shtimin e volumit të shkëmbimeve, si dhe lehtësimi i procedurave për mallrat tranzit me destinacion Kosovën përmes portit të Durrësit, përbënin qëllimin kryesor të vizitës së delegacionit të Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe të ambasadorëve të dy vendeve tona në Prishtinë dhe në Tiranë.
Gjatë një bashkëbisedimi të frutshëm mes palëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Pirro Vengu, paraqiti shifrat e dyfishuara të mallrave nga/drejt Kosovës, gjatë vitit 2019. Z. Vengu shtoi gjithashtu se Porti i Durrësit do të vijojë punën për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe hapësirave të magazinimit dhe përpunimit të mallrave në shërbim të operatorëve nga Kosova.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, nënvizoi se 75 përqind e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria mbërrijnë përmes portit të Durrësit, ndërsa vlera e shkëmbimeve tregtare vjetore mes dy vendeve arriti shifrën 306 milion euro në vitin 2019.
Gjithashtu, theksoi z. Minxhozi, puna e dy qeverive po intensifikohet në funksion të harmonizimit të kodeve doganore për të lehtësuar edhe më tej shkëmbimet tregtare në dy anët e bjeshkëve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi, dhe përfaqësuesit e bizneseve të transportit në Kosovë, mirëpritën planin e ri të biznesit të Autoritetit Portual, si dhe masat e ndërmarra për shërbimet e reja që pritet të ofrojë Porti i Durrësit duke u ndalur tek nevoja e përditësimit të disa tarifave portuale në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë.
Ambasadori i Kosovës në vendin tonë, z. Nait Hasani shprehu besimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje për sistemin doganor, çka do të lehtësonte lëvizjen e mallrave mes dy vendeve tona. Në takim morën pjesë edhe drejtues të dy Doganave.