Përgatitet “Rigel III”, traget tjetër në linjën Durrës – Bari e kthim

Udhëtarët dhe automjetet që lëvizin nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas do të kenë së shpejti në dispozicion një traget tjetër.

Kompania “Ventouris Ferries” ka njoftuar se trageti “Rigel III” do të hyjë në linjë, menjëherë pas riparimeve të nevojshme për standartet e lundrimit. Trageti me gjatësi 135 metra ka një kapacitet prej 1800 pasagjerësh dhe 450 makinash; ai disponon gjithashtu 950 shtretër në kabina me banjë.

Pas tragetit “Rhapsody” të kompanisë GNV ky është trageti i dytë me kapacitete të mëdha që do të lundrojë në linjat Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim.

Aktualisht në këto linja funksionojnë edhe tragetet “AF Marina”, “AF Francesca”, “Rigel I” “Rigel II”, “Bari” dhe “Bridge”.