Pesë anije tregtare, të ngarkuara kryesisht me hekur dhe plehra bujqësore po shkarkohen sot në Terminalin Perëndimor të portit më të madh të vendit.
Ndërkaq, një anije tjetër me 275 konteinerë vijon përpunimin në molin nr 6 të Terminalit të Konteinerëve.
Nga të dhënat e Dispeçerisë portuale, mësohet se në molin 1 dhe 5 po shkarkohen dy anije me rreth 5,950 tonë hekur gjithsej për industrinë e ndërtimit.
Në të njejtin Terminal po përpunohen edhe dy anije me 7,200 tonë DAP dhe ure’ për bujqësinë, ndërsa në molin 4 po përpunohet një anije me 1,407 tonë grurë.
Dispeçeria portuale bën me dije se gjatë 24 orëve të ardhshme pritet të mbërrijnë në port 3 anije të tjera.
Një prej tyre do të ngarkohet me 4,000 tonë çimento për eksport, ndërsa dy të tjerat do të shkarkojnë përkatësisht 1,851 tonë çimento dhe 1858 tonë hekur importi.