Në portin e Durrësit po përpunohen sot pesë anije tregtare me rreth 30 mijë ton mallra të ndryshme. Reshjet lokale të mëngjesit nuk e kanë penguar procesin e përpunimit, njoftojnë burime nga Dispeçeria portuale.
Burimet e Dispeçerisë bëjnë të ditur gjithashtu se në kalatat 1 dhe 11, në anijet Edro IV dhe Sider Luck po ngarkohen përkatësisht 2.600 ton çimento dhe 20.500 ton klinker për eksport. Ndërkaq nga anija Frojdi III po shkarkohen 1.346 ton gëlqere të paketuara në thasë të mëdhenj. Anija Tera po shkarkon 2.921 ton rrotativa llamarine dhe të njejtit proces po I nënshtrohet edhe anija Princess Maria, nga e cila po shkarkohen 3.200 ton skrap.
Të gjitha anijet janë bregëzuar në kalatat e portit në orë të ndryshme të ditës së mërkurë, 26 nëntor, dhe proces I përpunimit vijon normalisht. Anijet Princes Maria dhe Tera menjëherë pas shkarkimit do të fillojnë procesin e ngarkimit, përkatësisht me 5.700 ton çimento me paleta dhe 2.940 ton lidhje prokatesh.
Aktualisht në radën portuale nuk ka asnjë anije, ndërsa gjatë orëve dhe ditëve në vazhdim pritet të mbërrijnë edhe katër anije të tjera. Nga të dhënat paraprake anija RZK Constanta do të ngarkojë
7.000 ton prokate, ndërsa anijet Medazov Rosa, Erdogan Senkaya dhe Patricia Rickmers do të shkarkojnë përkatësisht 105 kontejnerë, 2.123 ton grurë dhe 560 kontejnerë.
Gjatë periudhës janar/tetor të këtij viti në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 3 milion e 156 mijë ton mallra gjithsej.