Tre anije me 4.100 ton mallra, hekur dhe çimento, si dhe 110 kontejnerë janë ankoruar të hënën paradite në portin e Durrësit, ndërsa rreth orës 10.00 përfundoi përpunimi i anijes kineze Jia Ning Shan me 30 mijë ton klinker për eksport.
Dispeçeria portuale bën me dije se gjatë fundjavës ka përfunduar shkarkimi i afro 10300 ton grurë nga anijet Cheroke dhe Rusich 10. Ndërkaq në kalatën 11 përfundoi edhe përpunimi i anijes kineze Jia Ning Shan, e cila u ngarkua me 30.300 ton klinker, lëndë e parë për prodhimin e çimentos.
Sipas të njejtave burime, përveç anijeve tregtare Frosina, Roger dhe Otterhound, të cilat filluan të përpunohen përkatësisht në kalatat 1, 5 dhe 6, në portin e Durrësit gjatë 24 orëve të ardhshme pritet të mbërrijnë edhe tre anije të tjera.
Anija M Turham Mildon me 2750 ton ure’ ndodhet në radë dhe do të ankorohet në kalatën 2, ndërsa pritet të mbërrijnë në Durrës edhe anijet Princes Maria, që do të ngarkojë 5700 ton çimento me paleta për eksport dhe Charly që do të shkarkojë 3700 ton kripë.