Personazh/ Hysen Ahmetaj: Porti i Durresit kjo familje e madhe! / 23 Qershor 2022

Në mbyllje të rrugëtimit të tij profesional prej rreth 45 vitesh, Hysen Ahmetaj, tregon sfidat me të cilat është përballur por edhe mbështetjen që ka gjetur mes kolegëve të tij në Portin e Durrësit të cilët ai i quan familja e madhe!

Si një ushtarak karriere ai tregon detyrën e ngarkuar për herë të parë në Portin e Durrësit në vitin 1989,  në ruajtjen e kufirit,  eksperiencë e cila përkoi dhe me problematikat e eksodit të vitit 1991,  ku falë devotshmërisë dhe korrektesës së kolegëve arritën të evitonin shumë incidente dhe situata të vështira.

Ndarja e parakohëshme nga jeta e bashkëshortes së tij në krye të detyrës në vitin 1996, pasoi me vështirësitë për të rritur i vetëm dy djemtë e tij, ndërkohë që rrugëtimi si ushtarak karriere e vijoi me detyra të ndryshme për t’u rikthyer në Portin e Durrësit në vitin 2005, si një nga themeluesit e Forcës së Sigurisë Portuale.

“Unë nuk e mendoja se Porti i Durrësit dhe Forca e Sigurisë Portuale do të bëhej “streha” në të cilën do të gjeja mbështetje për të rritur e edukuar fëmijët e mi”, tregon shef Hyseni.

Formimi, arsimi, eksperienca si dhe disiplina e tij si ushatarak ishin pikat e tija të  forta, që ndihmuan në rekrutimin e  tij pranë strukturës së Forcës së Sigurisë, në Maj të vitit 2005 nga përfaqësuesit e projektit PAMECA dhe Ambasadës Amerikane në atë kohë.

Sfidat profesionale ishin të mëdha por vetëm duke punuar me kolegë, profesionistë dhe të kualifikuarit që shef Hyseni e quan veten me fat, e kanë bërë  që të marrë vlerësime dhe mirënjohje nga shumë struktura vendase dhe të huaja. 

“Por, tragjedia ime familjare u thellua dhe më tej në vitin 2011, kur humba djalin tim të madh në moshën 27 vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme. Natyrisht që jeta ime nuk ishte më e njëjtë, gjë që u pasqyrua edhe në jetën time profesionale por në ato  momente arrita të shoh dhe aspekte të tjera në kolektivin me të cilin punoja, aspektin human dhe solidaritetin e treguar ndaj meje. Pra,  ajo çka kam gjetur në Portin e Durrësit më kanë bërë që të kem respekt dhe mirenjohje të pazëvendësushme te kolegët e mi, që m’u bënë vërtet familja ime e dytë”, tregon shef Hyseni.

Hyseni kaloi 14 vite në Forcën e Sigurisë Portuale,  ku 3 vitet e fundit nga korrektësia e treguar dhe respekti i krijuar gjatë ushtrimit të detyrës, ju ngarkua detyra e Drejtorit të Kontrollit pranë FSPD, ndërsa pas  ndryshimit të strukturës vijoi detyrën në sektorin e Sigurimi Teknik dhe atë Operativ.

“Porti më hapi dyert për të njohur njerëzit të cilët do të kishin shumë ndikim në jetën time jo vetëm profesionale por dhe atë njerëzore. Po largohem me mall, mirënjohje dhe falenderues për çdo gjë që porti ka bërë për mua”, e mbyll bisedën shef Hyseni.

Stafi i Autoritetit Portual i uron pension të mbarë shef Hysenit!