Reshjet e paradites kanë penguar pjesërisht proçesin e përpunimit të anijeve tregtare në portin e Durrësit. Ndërkaq tragetet e linjës Bari – Durrës janë ankoruar pa probleme që në orët e para të mëngjesit.
Burimet e dispeçerisë portuale, bëjnë me dije se aktualisht në portin më të madh të vendit po përpunohen më shumë se 20 mijë ton mallra dhe mbi 100 kontejnerë.
Dy nga pesë anijet që po përpunohen në kalata kanë mbyllur hambarët, në pritje të ndërprerjes së reshjeve të shiut – saktësuan burimet portuale. Anijet Tera me 1486 ton melaminë dhe Frojdi II me 1351 ton grurë dhe sojë, të cilat po shkarkohen në kalatat 2 dhe 4 të Terminalit perëndimor kanë ndërprerë për të njejtin shkak procesin e përpunimit gjatë gjithë paradites së sotme.
Në kalatat 5, 6 dhe 10 përpunimi i anijeve ka vijuar pa problem, pasi mallrat që transportohen nuk dëmtohen nga lagështira. Sipas burimeve të dispeçerisë anija Medazov Rosa që u ankorua sot paradite në port po vazhdon normalisht shkarkimin e 104 kontejnerëve. Nga anija Mensour M po shkarkohen 5000 ton skrap metalurgjie. Ndërkaq në kalatën 11 ka përfunduar ngarkimi i anijes Thunder me 2450 ton prokate për eksport.
Burimet e dispeçerisë bënë me dije se sot paradite në kalatën 11 u ankorua anija Kenan Mete, e cila do të ngarkojë 10 mijë ton prokate për eksport.