Gjatë vitit 2014 në portin e Durrësit janë përpunuar afro 3 milion e 718 mijë ton mallra, ose 4 përqind më shumë se sa janë përpunuar gjatë vitit paraardhës. Ndërkaq, tragetet janë shfrytëzuar nga 774.682 udhëtarë gjithsej, ose 8 përqind më shumë se sa periudha pararendëse.
Sipas statistikave të Autoritetit Portual, gjatë vitit që kaloi volumet prej eksportit kanë pësuar një rënie prej 4 përqind, ndërsa volumet e importit janë rritur me 11 përqind. Të shprehura në shifra, gjatë vitit 2014 në kalatat e portit janë ngarkuar dhe nisur drejt porteve të tjerë pak më shumë se 1.6 milion ton mallra, ndërsa janë shkarkuar më shumë se
2.1 milion ton mallra. Klinkeri dhe çimento me përkatësisht me 235 mijë ton dhe 193 mijë ton, si dhe prokatet e llamarinat me 132 mijë ton, zenë vendet e paranë listën e mallrave të eksportit, ndërsa nuk mungojnë edhe kromi e hekur-nikeli me sasi më të vogla se 100 mijë ton.
Statitistikat portuale bëjnë gjithashtu me dije se rreth një e treta e mallrave janë përpunuar në terminalin e kontejnerëve, numri i përgjithshëm i të cilëve në TEU (Njësi kontejnerike) arrin në afro 100 mijë, ose 9700 njësi më pak se sa gjatë vitit 2013. Kjo është kryesisht rrjedhojë e vonesës së koncesionarit në kryerjen e investimeve në vinça të përshtatshëm, detyrim ky për plotësimin e të cilit APD ka ushtruar presion të vazhdueshëm.
Nga statistikat e Autoritetit portual, mësohet se gjatë periudhës 12-mujore të vitit që lamë pas, tragetet janë shfrytëzuar nga 774.682 udhëtarë gjithsej, ose 8 përqind më shumë se sa periudha pararendëse.
Tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar një vëllim të përgjithshme prej mbi 731 mijë ton mallra, ose 21 mijë ton më shumë se sa në vitin 2013 – përfundojnë statistikat e APD.