Autoriteti Portual, Bashkia, Hekurudha Shqiptare, Instituti CDI dhe Universiteti i Durrësit nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit 31/01/2020

Drejtues të institucioneve të rëndësishme në qytetin e Durrësit dje në mesditë ishin në Autoritetin Portual, në Takimin për finalizimin e projektit të përbashkët “PoWER – Portet si nxitës në fushën e sipërmarrjes”.

Së bashku me Drejtorin e përgjithshëm Ekzekutiv të APD, Pirro Vengu në Takim morrën pjesë Kryetari i bashkisë Durrës,  Zhyljen Varfaj; Administratori i përgjithshëm i Hekurudhave shqiptare, Ani Dyrmishi; Administratore e Institutit CDI, Krisela Haçkaj dhe Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, prof. Osman Metalla.

Gjatë këtij Takimi, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (Memorandum of Understanding) si dhe Marrëveshjen Lokale.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Pirro Vengu,  pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen,  vlerësoi studimin e realizuar në kuadër të projektit PoWER  dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të përfshira në projekt. Duke komentuar disa prej çeshtjeve të paraqitura në studim,  z. Vengu nënvizoi se ato tashmë janë planifikuar konkretisht në Plan Biznesin e Autoritetit Portual Durrës për vitin 2020.

Kryetari i Bashkisë, z. Zhyljen Varfaj theksoi rëndësinë e studimit për shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme në qytet. Ndërkaq, prof. Osman Metalla, si përfaqësues i Universitetit “Aleksandër Moisiu” vlerësoi bashkëpunimin disavjeçar në fusha të veçanta me Autoritetin Portual Durrës.

Lidhur me qëllimin dhe rezultatet e studimit përfundimtar të këtij Projekti folën drejtuesja e Institutit CDI, Znj. Krisela Haçkaj dhe eksperti Andi Zhugli. Në prezantimin e studimit u paraqitën objektivat kryesore, dhe masat e nevojshme për ti realizuar ato. 

Disa nga fushat e identifikuara në studim ku mund të fokusohet vemendja e drejtuesve të APD jane: Efiçenca e energjisë; Përmirësimi i proceseve të punës; Zëvendësimi i karburanteve dhe Energjitë e rinovueshme. “PoWER – Portet si nxitës në fushën e sipërmarrjes” është një projekt i financuar nga programi i bashkëpunimit territorial Europian ADRION.