Porti i Durrësit partner në vlerësimin strategjik të transportit multimodal dhe rrjeteve TEN-T

18.6.2025

Porti i Durrësit është një nga partnerët aktivë në projektin ndërkombëtar “SA Connectivity ”, pjesë e programit Interreg IPA South Adriatic, që përfshin 8 partnerë nga Italia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Së fundmi, në kuadër të këtij projekti u zhvillua një takim pune i fokusuar në vlerësimin strategjik të transportit multimodal dhe rrjeteve TEN-T, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve partnere. Diskutimet u përqendruan në analizat paraprake mbi mobilitetin multimodal dhe lidhjet ndërkufitare në nivel kombëtar dhe rajonal, me theks të veçantë te roli i Portit të Durrësit si nyje kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu Korridori VIII, i cilësuar si një arterie strategjike për lëvizjen ndërkombëtare të mallrave dhe njerëzve, si dhe për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e përditësimit të këtij korridori në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër dhe prioritetet e makrorajonit Adriatik-Jon.

Porti i Durrësit, përmes përfaqësuesve të tij teknikë dhe operativë, kontribuon ndjeshëm në këtë proces, duke ofruar ekspertizë praktike për identifikimin e nevojave reale dhe potencialeve për zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e transportit dhe logjistikës.

Në punën analitike janë përfshirë 8 ekspertë profesionistë, të cilët udhëheqin gjithashtu grupet e fokusit në secilin vend partner, me synimin për të mbledhur të dhëna cilësore dhe sasiore mbi gjendjen aktuale të infrastrukturës së transportit, boshllëqet ekzistuese dhe mundësitë për përmirësim.