Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutib i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të oragizuar nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, duke mbledhur ekspertë të sigurisë, përfaqësues të sektorit publik dhe privat, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe strategjitë për mbrojtjen e hapësirës digjitale të Shqipërisë.
Panelet e konferencës trajtuan temat më aktuale si mbrojtja e infrastrukturave kritike, përmirësimi i sigurisë në sektorët e energjisë dhe financave, dhe përfitimet e Shqipërisë nga adoptimi i direktivës NIS2. Panelistët ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e sfidave kibernetike dhe fuqizimin e sigurisë rajonale. Risitë dhe sfidat e teknologjive të reja dhe zhvillimi i partneriteteve strategjike ishin në fokus të panelit 4, ku z. Bajraktari ishte pjesë.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu në formimin profesional, duke nënvizuar nevojën për përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e sigurisë kibernetike dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në këtë sektor.
AKSK riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të qenë një lider rajonal në sigurinë kibernetike, duke ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt digjitale për vendin dhe rajonin.
Kjo konferencë u mbështet nga projekti “Qeverisja e mirë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor,” financuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë – DCAF, dhe nga projekti Risi Albania i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), implementuar nga Helveta.
Në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike, në fokus ishin sfidat e sigurisë kibernetike, bashkëpunimi dhe mbrojtja e infrastrukturave kritike.