Mbi 5800 udhëtarë, kryesisht shqiptarë nga vendi ynë dhe nga Kosova, i janë drejtuar Durrësit me tragete nga Bari dhe nga Ankona.
Pjesa më e madhe kanë ardhur për të festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pranë familjeve të tyre.
Në Terminalin e Trageteve aktualisht funksionojnë 20 sportele të Policisë Kufitare, ndërsa një grup prej 8 mjekësh dhe infermierësh kujdesen për të respektuar masat dhe standardet në kuadër të pandemisë anti-covid 19.
Të dielën paradite në port mbërritën 3800 udhëtarë me dy tragete të linjës Bari-Durrës dhe një tjetër të linjës Ankona-Durrës.
Ndërkaq, të hënën dy tragetet nga Bari sollën në Durrës 2 mijë udhëtarë të tjerë. Udhëtarët që shfrytëzojnë tragetet drejt Barit dhe Ankonës, përveç rregullave dhe dokumentave shtesë para nisjes nga Durrësi duhet të paraqesin në portet e Italisë edhe vërtetimin mjekësor mbi kryerjen e tamponit me rezultat negativ.