Porti: Reshjet e shiut nuk pengojnë përpunimin e anijeve tregtare

Përpunimi i anijeve tregtare dhe trageteve në portin e Durrësit ka vijuar normalisht, megjithë motin e keq dhe reshjet e shiut, që vazhdojnë të bien edhe sot pasdite.

Tre tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur sipas grafikut të parashikuar, ndërsa në kalatat e portit më të madh të vendit ka vijuar përpunimi i tre anijeve tregtare me qymyr, lidhje hekuri dhe vaj luledielli.

Nga anija “Angela” në kalatën 5 po shkarkohen 5296 ton lidhje hekuri, ndërsa në kalatën 2 vazhdon shkarkimi i anijes “Ukrainets” me 4700 ton qymyr.

Nga anija “VF Tanker 17” drejt depozitave po shkarkohen gjithashtu edhe 3 mijë ton luledielli.

Në radën portuale presin radhën e përpunimit anijet SDS Red dhe Frosina me përkatësisht 6 mijë ton qymyr dhe 3 mijë ton çimento., ndërsa në mbrëmje pritet edhe anija e specializuar Erkan K me 102 kontejnerë me mallra.