Prefekti i qarkut Durrës, takimi i dytë radhazi në Autoritetin Portual

Realizimi i detyrave gjatë vitit 2017 dhe plan – biznesi i këtij viti ishin dy nga problematikat e trajtuara gjatë takimit të Drejtorit të përgjithshëm Ekzekutiv të APD, Artjan Qirici, me prefektin e qarkut, Roland Nasto.

Z. Nasto, i cili së bashku me stafin e tij vjen për të dytën herë në mjediset e APD, bëri të njohur udhëzimin e kryeministrit Rama për kontakte më të shpeshta të prefektit me drejtuesit e institucioneve dhe të degëve territoriale.

“Të gjitha këto shqetësime çdo javë ne ia bëjmë të njohura kryeministrit, nëpërmjet Zyrës Operacionale pranë tij-tha prefekti i qarkut të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Artjan Qirici, vlerësoi takimin duke u ndalur në rezultatet e vitit 2017 dhe problematikat e shfaqura gjatë vitit të kaluar. Ai vlerësoi bashkëpunimin dhe kontaktet me portin e Barit (Itali) me qëllim përmirsimin e kushteve të përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve.

Z. Qirici paraqiti elementët kryesorë të Plan-Biznesit 2018, i cili do të paraqitet këto ditë në Këshillin Drejtues të APD. Infrastruktura do të jetë prioriteti ynë gjatë vitit 2018 – tha më tej Drejtori Ekzekutiv I APD, duke nënvizuar se investimet e këtij viti do të kenë si objektiv përmirsimin e infrastrukturës portuale.