Presidenti i Bullgarisë, z. Rumen Radev, në kuadër të vizitës zyratare që po zhvillon në vendin tonë, është ndalur në Portin e Durrësit, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, z. Pirro Vengu. Kreu i shetit bullgar është njohur nga afër me kapacitetet e Portit më të madh të Shqipërisë, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm si ndërlidhës kryesor me vendet e Ballkanit Perëndimor. Modernizimi i infrastrukturës portuale, rrugore dhe hekurudhore në kuadër të jetësimit të Korridorit të 8-të që lidh Adriatikun me Detin e Zi, ishte fokusi i takimit dypalësh. Z. Radev gjatë vizitës së tij në Portin e Durrësit, u ndal në Terminalin e Trageteve, ku u njoh nga afër me infrastrukturën aktuale dhe investimet e reja që janë planifikuar. Presidenti Radev ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare ku ka shprehur mbështetjen e plotë të Bullgarisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.