Prezantohet drejtori i ri i Forcës së Sigurisë Portuale Durrës, Dionis Novaku 

12.10.2026 

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Liburn Aliu, prezantoi mëngjesin e së hënës drejtuesin e ri të Forcës së Sigurisë Portuale Durrës, z. Dionis Novaku. Në prezantim ishte i pranishëm edhe ish-drejtori i kësaj strukture, z. Alfred Velaj, i cili vijon të japë kontributin e tij si këshilltar i jashtëm për sigurinë në Portin e Durrësit. 

Kreu i APD-së vlerësoi punën dhe përkushtimin e z. Velaj dhe të ekipit të Forcës së Sigurisë Portuale. Gjithashtu, ai shprehu besimin se përvoja dhe formimi profesional i z. Novaku do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe në sjelljen e një vizioni të ri për këtë strukturë, në një nga infrastrukturat kritike portuale më të rëndësishme të vendit. 

Kush është Dionis Novaku? 

Dionis Novaku ka një përvojë të gjerë në fushën e sigurisë, me angazhime në Forcat e Armatosura, në strukturat e sigurisë së Ambasadës Amerikane në Tiranë, në sistemin penitenciar dhe në Gardën e Republikës. Gjatë viteve 2008-2014, ka shërbyer si komandant grupi në Batalionin e Forcave Speciale, duke marrë pjesë në tri misione në Afganistan, përfshirë angazhime si instruktor dhe mentor në kuadër të ISAF-it. Më pas, gjatë viteve 2014-2018, ka mbajtur detyra si mbikëqyrës, trajnues dhe zëvendëskomandant i rojeve lokale pranë Zyrës Rajonale të Sigurisë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Përvoja e tij përfshin gjithashtu detyrën e oficerit të policisë në IEVP “Jordan Misja” dhe angazhimin si ndihmësekspert sigurie pranë misionit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Prej dhjetorit 2020, ka shërbyer si oficer sigurie në Gardën e Republikës. Në karrierën e tij ka kryer detyra që lidhen me drejtimin dhe trajnimin e personelit, vlerësimin e rrezikut, menaxhimin e situatave emergjente dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese. Është vlerësuar me “Eagle Award” nga Ambasada Amerikane në Tiranë, Medaljen e NATO-s për operacionin ISAF, si dhe medalje karriere e shërbimi nga Forcat e Armatosura.