Tre ditët e ardhshme në portin e Durrësit priten dy anije, njëra prej të cilave do të shkarkojë afro 25 mijë ton nikel, ndërsa tjetra do të ngarkohet me 7 mijë ton çimento për eksport.
Në Qendrën e Informacionit në APD, mësohet se të dy anijet do të përpunohen në kalatat 10 dhe 11 të Terminalit Lindor.
Anija “Seaven Luck” me gjatësi 115 metra pritet të mbërrijë sot pasdite nga Ortona (Itali). Ajo do të ngarkohet e 7 mijë ton çimento të prodhuar në fabrikën “Antea Cement” pranë Fushë Krujës.
Ditët në vazhdim në kalata pritet edhe anija “Ruby Enterprise” me gjatësi 177 metra. Anija vjen nga Puerto Santo Tomas në Guatemala me një ngarkesë nikeli prej 24.917 ton.
Deri të premten në portin e Durrësit priten edhe 7 anije të tjera me 18.500 ton mallra si grurë, misër, melaminë, sojë, çimento dhe kontejnerë.