Pritet kroçera “Thomson Celebration” me 1.226 turistë nga 11 vende

Javën e ardhshme në portin e Durrësit mbërrin për herë të tretë brenda një muaji kroçera “Thomson Celebration” me 1226 turistë të huaj në bord. Pjesa më e madhe e tyre, 1211 vetë, vijnë nga Britania e Madhe, ndërsa nuk mungojnë turistët nga Irlanda (6), Zelanda e Re, ShBA, Portugalia, Kroacia, Hollanda, Italia, Kanadaja, Bullgaria dhe Spanja.

Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se turistët vijnë nga 11 vende të botës. Pas zbritjes në Durrës, një pjesë do të udhëtojnë të organizuar me autobuza drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit. Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton ka flamur maltez. Në bordin e saj punon një personel prej 532 vetësh.

Të djelën portin më të madh të vendit do ta vizitojë kroçera “Seeven Seas Navigator” me 449 turistë në bord.

Pas kroçerave “Berlin”, “Princendam”, “Thomas Celebration” dhe “Seeven Seas Navigator” që mbërritën në Durrës me 3584 turistë gjithsej që nga muaji mars i këtij viti, kjo është anija e shtatë turistike e këtij sezoni. Deri në nëntor në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 15 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.