Profil/ Iljaz Xhaja, pjesë e Sigurisë Portuale që nga krijimi i saj/ 04 mars 2021

Iljaz Xhaja shërben në Forcën e Sigurisë Portuale Durrës që në krijimin e saj, në vitin 2006.

“Fillimi ishte i vështirë, pasi mungonin të gjitha llojet e pajisjeve, madje edhe postblloqet në Terminale duheshin hapur me krahë – kujton Iljazi, i cili ka punuar në të gjithë sektorët e sigurisë portuale, ndërsa aktualisht punon si shef turni.

Tani që ka lënë pas 62 vite jetë, ai ka më të lehtë të bëjë krahasime, edhe me periudhën kur punonte si oficer karriere.
“Përdoruesit e portit, drejtuesit e automjeteve apo punonjësit e tjerë të kompanive private janë gjithnjë e më bashkëpunues – dëshmon ai përvojën e tij 15-vje[are në FSPD, ndërsa ka më shumë kritika për punonjësit portualë në këtë drejtim.

Sipas Iljazit është shumë fat të punosh në portin e Durrësit, edhe për faktin që drejtuesit në të gjitha nivelet i mbështesin punonjësit, edhe në zgjidhjen e problematikave të përditshme.

Me radiomarrësen në njërën dorë dhe me telefonin celular në tjetrën, Iljazi kërkon vazhdimisht leje për ta ndërprerë bisedën, duke iu përgjigjur kolegëve.
Ai ndjehet i lumtur që të trija vajzat janë shkolluar me arsim universitar, madje më beson edhe një hollësi: Vajzat mi kanë prezantuar shokët e jetës në të njëjtën ditë – tregon i kënaqur edhe si prind Iljaz Xhaja.