Projektet zhvillimore në Kompleksin Portual Durrës-Porto Romano në qendër të interesit të ekspertëve ndërkombëtarë të Konferencës “STARS EU”

21 mars 2025

Prej tre ditësh Durrësi është kthyer në epiqendrën akademike ndërkombëtare, me Konferencën “STARS EU, e para e këtij lloji zhvilluar në vendin tonë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”. 

Në kuadër të partneritetit me Qendrën e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA), një moment kyç i agjendës së konferencës ishte vizita në Portin e Durrësit, e realizuar me disa ndalesa si Salla e Konferencave “Hysni Aruçi”dhe Qendra e Shitjeve në Marinën Turistike të Durrësit. 

Gjatë kësaj konference në Durrës, ekspertë dhe akademikë evropianë patën mundësinë të njihen nga afër me kapacitetet aktuale të Portit të Durrësit dhe të informohen mbi dy projektet strategjike të zhvillimit të kompleksit portual Durrës–Porto Romano.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA), e cila vepron si një urë lidhëse midis akademisë dhe sektorit detar. Qendra luan një rol thelbësor në kualifikimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e ekspertizës për industrinë detare përmes programeve të trajnimit dhe praktikave profesionale pasuniversitare.

Ekspertët shfaqën interes të veçantë për rolin e kompleksit portual në ekonominë lokale dhe rajonale, si dhe për perspektivat afatgjata të projekteve infrastrukturore, të përqendruara në digjitalizimin, automatizimin e shërbimeve dhe reduktimin e impaktit mjedisor. Pyetjeve të tyre iu përgjigjën drejtuesit e strukturave të Autoritetit Portual Durrës (APD), z. Rafaelo Rexho, z. Vegim Hoti dhe z. Endrit Pollo, të cilët theksuan se objektivi kryesor i projekteve mbetet qëndrueshmëria dhe modernizimi i infrastrukturës detare, me synimin për ta shndërruar portin në një qendër logjistike të gjelbër dhe të qëndrueshme për rajonin e Ballkanit. 

“STARS EU” mbledh çdo vit përfaqësues të universiteteve kryesore evropiane, lider vizionarë dhe aktorë të rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit. Konferenca shërben si një platformë për të frymëzuar dhe transformuar të ardhmen e edukimit në Evropë, duke trajtuar sfidat aktuale dhe ato që priten në të ardhmen.

Në sesionin e këtij viti, fokusi ishte në strategjitë dhe përqasjen ndaj ndryshimeve teknologjike dhe inovacionit, me synim krijimin e një sistemi arsimor më dinamik, gjithëpërfshirës dhe me ndikim në mbarë Evropën.

#STARS_EU #AnnualConference2025 #InnovationInAction