Punonjës të APD-së dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Mbi 30 punonjës portualë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak, në ndihmë të fëmijëve Talasemikë. Dhuruesve vullnetarë i’u bashkua edhe Drejtori Ekzekutiv i APD-së.

Procesi i dhurimit të gjakut u organizua sot paradite në mjediset e Ambulancës së portit të Durrësit në kushte të rrepta sigurie shëndetësore, nga personeli i specializuar i Bankës Kombëtare të Gjakut, Kryqit të Kuq dhe stafi mjekësor i APD-së.

Fillimisht çdo dhurues i’u nënshtrua matjes së tensionit arterial, temperaturës dhe nivelit të hemoglobinës për të përcaktuar gjëndjen shëndetësore para dhurimit.

E gjithë sasia e dhuruar sot do të shfrytëzohet nga spitalet për fëmijët Talasemikë.

Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar (dega Durrës) dhe Bankën Lëvizëse Kombëtare të Gjakut prej vitesh është pjesë e nismës “Kush dhuron gjak, shpëton një jetë”.