Punonjësit e portit të Durrësit ndërmorrën sot nismën e solidaritetit me popullsinë e zonave të përmbytura, kryesisht në jug të vendit.
Në një takim të organizuar pasdite në sallën e konferencave të APD bashkë me punonjës të administratës portuale morrën pjesë edhe përfaqësues të operatorëve portualë, të konçesionarëve, kontraktuesve, të agjencive etj, të cilët iu bashkuan kësaj nisme.
Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD, Selim Belortaja, tha se një fond emergjence prej 15 milion lek të rinj do të kalojë brenda ditës në mbështetje të banorëve në zonat e përmbytura.
Më poshtë e plotë fjala e drejtorit Selim Belortaja:
Ju falenderoj për pjesmarrjen në këtë Takim, në të cilin nuk jemi mbledhur vetëm si punonjës e drejtues në një prej ndërmarrjeve më të mëdha të vendit. Përmbytjet e javës së fundit, që prekën kryesisht zonat jugore të vendit nuk mund të na lenë indiferentë. Mijra bashkëqytetarë janë në vështirësi, shpesh herë edhe ekstreme.
Në këto kushte lindi gjatë orëve të fundit në portin e Durrësit edhe nisma e solidaritetit me të gjithë njerëzit që vëllezërit dhe motrat që kanë nevojë për gjithçka, e mbi të gjitha për ngrohtësi njerëzore. Kjo është arsyeja që po ju drejtohemi të gjithëve ju, por edhe familjeve tuaja, që të bashkohen me nismën tonë të solidaritetit, si qytetarë, si prindër, si vëllezër, por edhe si bij.
Drejtoria e përgjithshme ekzekutive ke APD e akorduar një fond emergjence prej 15 milion lek të rinj, të cilët do të kalojnë shumë shpejt përmes llogarisë bankare të emergjencave civile për popullsinë e zonave të përmbytura.
Punonjësit Autoritetit portual ftojnë të gjithë individët apo grupet e interesuara, që punojnë në territorin e portit, si konçesionarët, agjencitë, kontraktuesit, stivadorët, operatorët portualë, etj. që të shfrytëzojnë këtë numër të llogarisë bankare për ndihmën e tyre monetare.
Tashmë në drejtorinë ekzekutive është ngritur një Komision i Posaçëm, që kryesohet nga zv. Drejtori Artjan Qirici, i cili do të koordinojë edhe grumbullimin e ndihmave materiale të çdo lloji. Në këtë komision marrin pjesë edhe zz. Gëzim Agasi, Auert Koka, Arjan Myderrizi, Shaziman Hoxha, Neritan Bitri dhe Kozeta Kallastra.
Ndihmat materiale do të mblidhen në një Pikë grumbullimi, në territorin portual.