Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe mënyra më e mirë për të patur një gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm për pacientët në nevojë. Për fat të keq, nevojat për gjak në sistemin spitalor në vend, duke konsideruar edhe situatën emergjente shëndetësore të shkaktuar nga pandemia Covid 19 , kanë ardhur në rritje.
Të ndërgjegjshëm se plotësimi i nevojave për gjak në vend është një sfidë mjaft e vështirë, edhe këtë vit, Autoriteti Portual Durrës i është bashkuar sërish nismës së Kryqit të Kuq Shqiptar, ”Dhuro gjak, shpëto një jetë.” Një numër punonjësish të Autoritetit Portua, kontribuan nëpëmjet dhurimit vullnetar të gjakut në mbështetje të kësaj fushate, proces ky i cili u zhvillua në ambjentet e Njësisë Epidemiologjike, pjesë e Divizionit të Standardeve, Shëndetit dhe Emegjencave të portit më të madh në vend, nën masa të rrepta higjieno-sanitare dhe në respektim të plotë të protokolleve anti Covid.
Nën moton “Një njësi gjak mund të shpëtojë tri jetë…Një gjest humanizmi mund të krijojë mijëra buzëqeshje”, fushata e kësaj here nuk ka në fokus vetëm asisitimin e Bankës së Gjakut, e cila shkon në ndihmë të fëmijëve talasemikë por edhe atë të strukturave shëndetësore në tërësi.
Me shpresën se vullnetarizmi i stafit tonë do të shërbejë si një shembull i mirë në sensibilizim publik dhe duke nënvizuar se dhurimi i gjakut nuk kërkon më shumë sesa disa minuta, por dhuron një jetë të tërë për dikë tjetër, urojmë që kjo nismë të shtrihet edhe në institucione të tjera.