Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare(CEMA) për herë të parë mundëson një trajnim për Teknik Elektronike të Mjeteve Lundruese/ 27 shtator 2024

Kualifikimet profesionale të stafit dhe ekspertëve në sektorin detar vijojnë të jenë ndër shtyllat mbështetëse për rritjen e kompetencave dhe ekspertizës në funksion të përmbushjes së kërkesave në rritje të kompleksit portual Durrës-Porto Romano. 

Në këtë kontekst angazhimi i Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) vijon të mbetet konstant në mundësimin e kurseve, trajnimeve apo dhe masterave me fokus industrinë detare dhe atë portuale. 

Këtë herë ka qenë Përgjegjësi i Njesisë së Inxhinierisë Mekanike, z.Orges Beshku, i cili ka përfunduar ciklin e parë të kursit për “Teknikë Elektronike të Mjeteve Lundruese”, ku dhe është certifikuar me sukses si Instalues i Elektronikës Detare nga NMEA(National Marine Electronics Association).

Zhvillimet aktuale në infrastrukturën portuale si dhe projektet, të cilat janë në proces implementimi synojnë jo vetëm modernizimin dhe automatizimin e operacioneve portuale por edhe zhvillimin e qendrueshëm të sektorit në tërësi, çka parashtron kërkesën për implementimin e praktikave më të mira dhe burime njerëzore të kualifikuara në vazhdimësi, objektiva këto, të cilat mbeten prioritet i APD dhe CEMA.