Qershor 2016: Numër i lartë anijesh dhe tragetesh që nga fillimi i muajit

Në kalatat e portit të Durrësit gjatë dy ditëve të fundit të këtij muaji po përpunohen 4 anije tregtare me mallra të ndryshme, ndërsa priten edhe dy anije të tjera, njw prej tw cilave do të ngarkojë çimento dhe tjetra do të shkarkojë grurë.

Sipas të dhënave të Dispeçerisë portuale, që nga fillimi i muajit qershor në portin më të madh të vendit janë përpunuar 43 anije tregtare dhe 75 tragete me udhëtarë.

Në Terminalin perëndimor, që administrohet nga Autoriteti Portual janë përpunuar deri tani 21 anije dhe në proçes përpunimi janë edhe tre anije të tjera. Në Terminalin e kontejnerëve numri i anijeve të përpunuara në 28 ditë është 17 dhe 5 anije të tjera janë përpunuar në Terminalin lindor.

Bëhet e ditur gjithashtu, se në Durrës janë shkarkuar mallra të ndryshme si grurë, xhama, melaminë, tuba çeliku, etj. Ndërkaq është ngarkuar kryesisht çimento për eksport. Në kalatat 4 dhe 5 në qershor të këtij viti janë ankoruar gjithashtu 3 kroçera dhe dy velierë luksozë me turistë nga vende të ndryshme të botës.

Në periudhën janar-maj të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 1.375.348 ton mallra të ndryshme. Në katër Terminalet e portit janë përpunuar 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa janë ankoruar gjithashtu edhe 5 kroçera dhe 37 jahte. Në të njejtën periudhë tragetet e linjave të Durrësit kanë transportuar 18 përqind më shumë udhëtarë dhe 3 përqind më shumë mallra se në 5-mujorin e parë të vitit 2015.