Reshjet e paradites së sotme kanë vështirësuar pjesërisht veprimtarinë përpunuese në portin e Durrësit. Trageti i vetëm i linjës Bari – Durrës ka mbërritur në mëngjes sipas grafikut, ndërsa për shkak të motit të keq një barkë e huaj me vela është strehuar në kalatat e portit më të madh të vendit.
Sipas burimeve të dispeçerisë portuale, megjithë reshjet që kanë rënë me ndërprerje, në kalatën 11 ka vazhduar pa problem ngarkimi me çimento rinfuzo I anijes “Demetrios B” . Burimet thanë se anija po ngarkon 5100 ton çimento me sistemin e pompës me vakum, çka mundëson vijimin e përpunimit të anijes edhe në kushtet e reshjeve. Ndërkaq në kalatën 2, reshjet kanë bllokuar fillimin e përpunimit të anijes “Frosina”, e cila do të shkarkojë 4010 ton çimento.
Gjatë 36 orëve të ardhshme në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë katër anije që do të përpunohen me rreth 14.400 ton mallra, si çimento, grurë dhe xhama.