Reshjet e shiut që kanë nisur në orët e para të mëngjesit nuk e kanë penguar sot përpunimin e anijeve në portin e Durrësit.
Ndërkaq, dy tragetet e linjës Bari – Durrës dhe ai i linjës Ankona – Durrës kanë mbërritur në portin më të madh të vendit sipas orareve të parashikuar.
Nga Qendra e Informacionit, mësohet se në Terminalin lindor vijon përpunimi i anijeve “Osman Prince” dhe “NS Sabina”, nga të cilat po shkarkohen 11,524 ton skrap.
Në anijen e specializuar “Pomerenia Sky”, që është akostuar në kalatën 6 po përpunohen gjithashtu 484 kontejnerë me mallra.
Në radën portuale ndodhet sot një anije me 4.250 ton çimento, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme priten pesë anije me rreth 20 mijë ton mallra si xhama, çimento, grurë, pleh bujqësor dhe konteinerë.