Reshjet e shiut pengojnë përpunimin e anijeve, tragetet mbërrijnë në orar

Reshjet e shiut që nisën sot paradite po pengojnë përpunimin e anijeve të ankoruara në portin e Durrësit. Era me shpejtësi 10-12 mt/sec që po fryn nga juglindja do të ndryshojë disa herë drejtim gjatë ditës, ndërsa mësohet se edhe reshjet e shiut do të vijojnë me ndërprerje të shkurtëra deri në mbrëmjen e së martës.

Dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në Terminalin përkatës sot rreth orës 7.30, dhe përpunimi i tyre ka përfunduar në kohë.

Nga Qendra e Informacionit bëhet me dije se nga 6 anije në kalata vetëm “Max Value” po vazhdon shkarkimin e kontejnerëve, ndërsa pesë të tjerat me mallra rinfuzo kanë ndërprerë përpunimin që në orën 8.40 të paradites.

Mbi 17 mijë ton superfosfat, hekur, pleh bujqësor DAP dhe skrap kanë nisur të shkarkohen dje paradite nga pesë anije të ankoruara në portin e Durrësit. Ndërkaq, në kalatën 11 anija “Edro IV” ka nisur të ngarkohet me 2650 ton çimento për eksport.