Moti i keq dhe reshjet e furishme kanë vështirësuar sot paradite veprimtarinë përpunuese të anijeve tregtare në portin e Durrësit. Ndërkaq, dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur pa probleme në portin më të madh të vendit.
Burime nga dispeçeria portuale, bënë të ditur se shkarkimi i anijes Erdogan Senkaya është ndërprerë menjëherë pas fillimit të reshjeve të shiut, sot në orët e paradites. Anija e ankoruar në kalatën 2 ka sjellë grurë dhe përpunimi i saj në kushtet e reshjeve është i pamundur-shtuan burimet e dispeçerisë.
Sot në orët e para të ditës përfundoi ngarkimi me 7000 ton prokate i anijes RZK Constanta, e cila po përgatitet të niset drejt destinacionit të saj.
Sipas të njejtave burime, nga njoftimet metereologjike mësohet se, rajoni i Durrësit do të jetë i përfshirë nga kushtet e motit të keq edhe në orët e ardhshme, çka do ta pengojë edhe gjatë ditës së sotme përpunimin e anijes me grurë.