Reshjet e shiut pengojnë përpunimin, tragetet mbërrijnë në orar

Reshjet e shiut të enjten kanë penguar përkohësisht përpunimin e anijeve në portin detar. Ndërkaq, tre tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në mëngjes, sipas grafikut të paracaktuar.

Sot në mesditë u ndërpre përpunimi i anijeve “Neonila” me 3326 ton xhama në kalatën 1 dhe “Fatma Imamoglu”, me 3418 ton rrotativa llamarine në kalatën 5 të portit më të madh të vendit. Reshjet e shiut kanë ndikuar në ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë përpunuese-thanë burimet.

Aktualisht në radën portuale ndodhen anijet “Martha” dhe “Frojdi III”, ndërsa priten sot dy anijet “Ocean Marvel” dhe “Antheia”, me 39 mijë ton mallra gjithsej.

Dje rajoni i Durrësit dhe porti detar u përfshinë nga era e fortë dhe stuhia detare, e cila krijoi vonesa deri në 8 orë në ankorimin e trageteve të linjës, si dhe pengoi lundrimin e anijeve dhe mjeteve të tjera lundruese.