Reshjet e shiut pengojnë pjesërisht përpunimin e anijeve

Reshjet e shiut që kanë filluar sot rreth orës 12.00 nuk kanë penguar plotësisht veprimtarinë e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i keq me reshje shiu do të vijojë edhe gjatë orëve të ardhshme, deri në orën 20.00 të mbrëmjes.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se hambarët i kanë mbyllur vetëm anijet “NS Nevela”, “Meroving” dhe “Nali” në kalatat 1, 2 dhe 5, të cilat po shkarkojnë përkatësisht çimento, grurë dhe xhama, afro 10 mijë ton gjithsej.

Ndërkaq në kalatën 10 po vazhdon shkarkimi i 6816 ton skrap nga anija “Mistral”. Përpunimi në të njëjtën kalatë vijon edhe për anijen “Sirius Cement”, e cila po ngarkohet me 12.500 ton çimento për eksport. Tekonologjia e përpunimit mundëson vijimësinë e proçesit edhe në kushtet e motit të keq.

Sot paradite në kalatat e portit më të madh të vendit po përpunohen 5 anije me mallra. Tre të tjera, një nga të cilat ndodhet në radë, pritet të mbërrijnë gjatë ditëve në vijim.