Retrospektivë/ Kur Porti i Durrësit ishte në funksion të notarëve të qytetit/ 3 dhjetor 2020

Baseni portual i anijeve ka shërbyer për shumë kohë si vendi ku stërviteshin notarët e Durrësit. Për afro 20 vjet kampionatet lokale dhe kombëtare të notit dhe më pak të vaterpolit janë zhvilluar pranë kalatave të portit më të madh të vendit.

Për disa kohë mjaft fëmijë dhe të rinj mësuan të notojnë në zonën e portit të ri, siç thirrej pjesa e sotme e Terminalit të Trageteve.

Më vonë, aksesi në port ishte mjaft i kontrolluar dhe sportistët hynin në port me listë.

Mjeshtri i Merituar i sportit, Niko Kurani, ka fituar medaljen e parë kombëtare për moshat, kur ishte 12 vjeç. Ai kujton se “pishina” e fillimit të viteve 1950 ishte sajuar në port, mes dy anijeve austriake, të cilat ishin mbytur që në luftën e parë botërore.

Nga dëshmitë e notarëve të shquar Hysen Haxhija dhe Luan Rexha, në fillim të viteve 1960 dy kampionate kombëtare u zhvilluan pranë urave të peshkimit të vjetër dhe terminalit aktual të trageteve.

Ish-sportistët kujtojnë edhe kontributin e notarëve që punonin në sektorë të ndryshëm të portit detar të Durrësit dhe që thyenin rekorde si Nexh Kosova, Xhavit Sharra, Ben Rrogozhina, Shyqyri Gjepali, etj.

Në periudhën 1962-1972 kampionatet u transferuan pranë kalatave ende të pandërtuara 0 – 1, dhe spektatorët entuziastë zinin vend në gurët pranë murit perëndimor. Në ujë, ishin ngritur dy zadra druri ku qëndronin gjyqtarët e garave dhe nga ku hidheshin notarët.

Ndërmjet garave, mjeshtri i notit dhe gjimnastikës Tom Fishta, së bashku me M. Rrogozhinën, fluturonin mbi ujë nga bashi i anijeve ose nga biga lundruese, duke krijuar një spektakël të këndshëm.

Fillimi i investimeve të mëdha në port, dhe përfundimi i pishinës së re në vitin 1973 i transferoi stërvitjet e ekipeve dhe kampionatet lokale dhe kombëtare në Pishinën publike, që vazhdon të funksionojë edhe sot.

(Fotot u vunë në dispozicion nga Mjeshtri i Merituar Niko Kurani)