Rriten me 16% volumet e mallrave të transportuara me tragete në Portin e Durrësit/ 12 prill 2021

Volumi i mallrave të trasportuar me tragete nga/drejt portit të Durrësit gjatë 3-mujorit 2021 është rritur me 16%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2020.

Rritje prej përkatësisht 22 dhe 3 % kanë regjistruar edhe shifrat e kamionëve dhe autoveturave, që kanë shfrytëzuar tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim.

Nga të dhënat statistikore në APD, mësohet se tragetet kanë transportuar rreth 221 mijë tonë mallra gjithsej, dhe se sasia më e madhe është shënuar në hyrje në portin më të madh të vendit.

Që nga fillimi i këtij viti tragetet kanë kryer 214 lundrime vajtje-ardhje, ose 12 lundrime më shumë se sa në 3-mujorin e vitit 2020, ndërsa shifra e udhëtarëve që kanë frekuentuar tragetet ka arritur në rreth 80 mijë gjithsej, ose 17 %më pak se vitin e kaluar.

Megjithë rritjen graduale gjatë muajit mars, shifrat e udhëtarëve me tragete mbeten të ulëta si pasojë e kufizimeve nga pandemia, që u vendos për shkak të Covid-19.