Rritja e fluksit në terminalin e kontejnerëve, në fokus të diskutimeve në Portin e Durrësit

29 korrik 2025

Sot, në ambientet e Autoriteti Portual Durres u zhvillua një mbledhje pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të linjave kryesore të kontejnerëve, administratës doganore të Durrësit, si dhe përfaqësuesve të strukturave portuale, me qëllim evidentimin dhe adresimin e problematikave që hasen aktualisht në procesin e transportit dhe përpunimit të kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh të ngritura nga operatorët privatë dhe kompanitë e transportit, të cilët evidentuan vonesa në përpunimin e kontejnerëve, si pasojë e rritjes së ndjeshme të volumeve dhe fluksit në këtë sektor, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Në përfundim të mbledhjes, palët propozuan disa pika konkrete për përmirësimin e situatës dhe zgjidhjen e problematikave të evidentuara, me synimin për të rritur performancën operacionale dhe konkurrueshmërinë e Portit të Durrësit në nivel rajonal.

Duke vlerësuar rolin kyç të transportit rrugor në zinxhirin logjistik, Autoriteti Portual Durrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që operojnë në port të zbatojnë me përpikëri të gjitha procedurat dhe praktikat e nevojshme për transportin e mallrave, në funksion të një procesi sa më të rregullt, efikas dhe të sigurt për të gjithë aktorët e përfshirë.

Mbetemi të angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe infrastrukturës portuale, dhe në këtë drejtim, konsiderojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e përdoruesve të portit si një faktor kyç në përballimin e sfidave dhe avancimin drejt standardeve më të larta të shërbimit.