Ka përfunduar sot, testimi i përvitshëm fizik i punonjësve operativë të Forcës së Sigurisë Portuale (FSPD), i cili kryhet në zbatim të programit vjetor të trajnimeve të këtij efektivi.
Ky program, i cili ka vijuar për katër ditë rradhazi, ka për qëllim njohjen e parametrave fizike por gjithashtu edhe rritjen e standardeve të personelit të sigurisë portuale.
Të organizuar në katër grupe operative, i janë nështruar këtij testimi të gjithë punonjësit e Forcës së Sigurisë Portuale. Programi i testimit është zhvilluar në ambjentet e stadiumit “Niko Dovana”, nën kujdesin dhe mbështetjen e zv.Drejtorit Operativ, z. Karafil Sula, Shefit të Stërvitjes, Mjeshtrit të Madh, z. Haxhi Ballgjini dhe Shefit të Sallës Operative z.Dashnor Kllogjeri.
Sipas organizatorëve të këtij aktiviteti, plani vjetor të testimit parashikon njohjen e përvitshme të parametrave të gjendjes fizike të personelit, çka ndikon drejtpërdrejt edhe në performancën e përditshme të efektivit në funksion të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së veprimtarisë portuale.
Plani është zhvilluar në përputhshmëri të plotë me rregulloren, nën asistencën e ambulancës dhe ekipit të ndihmës së shpejtë si dhe në përshtatshmëri me kushtet e motit.