Sekretari gjerman i Shtetit, Rainer Baake, vizitë në portin e Durrësit

Një delegacion gjerman i kryesuar nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë, Rainer Baake, vizitoi sot paradite portin e Durrësit.

Z. Bake dhe përfaqësuesit e Qeverisë e të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë u pritën në mjediset e Autoritetit Portual nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD, ing. Gazmend Shalsi.

Drejtori i APD, pasi i uroi mirëseardhjen mysafirëve nga Gjermania i njohu ata me disa nga karakteristikat e portit më të madh të vendit tonë. Ai vlerësoi investimet e rëndësishme të qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e portit të Durrësit dhe kthimin e tij në një port tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj.

80 përqind e portit tashmë është dhënë me konçesion-tha më tej z. Shalsi, duke nënvizuar se në hapësirën portuale ka ende mundësi investimi për të ardhmen, duke synuar dhënien me konçesion edhe të Terminalit perëndimor, i vetmi që vazhdon të menaxhohet nga APD.

Përvoja e krijuar me kontratat e koncesioneve në 2-3 vitet e shkuara do ti shërbejë edhe thithjes së investimeve në të ardhmen. Duke folur për bashkëpunimin aktual me një kompani gjermane nga Hamburgu për zhvillimin e kalatave dhe zonave portuale, drejtori Gazmend Shalsi i ftoi investitorët gjermanë të jenë pjesë realizimit të projekteve të ardhshme për portin e Durrësit. Ministri Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e portit të Durrësit si portë e Koridorit 8 për transportin e mallrave nga rajoni Adriatik në atë të Detit të Zi.