Situata drejt normalizimit, në mbrëmje parashikohet nisja e 3 trageteve drejt Barit/Ankonës

Tre tragete me udhëtarë parashikohet të nisen sot në mbrëmje nga Durrësi, dy nga të cilët drejt portit të Barit.

Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës njofton se trageti “AF Claudia” që ndodhet në Terminalin e Trageteve do të niset drejt Ankonës rreth orës 17.00. Ndërkaq tragetet “Rigel II” dhe “AF Francesca”, të cilët janë nisur nga Bari sot paradite, pritet të mbërrijnë në Durrës përkatësisht në orën 18.00 dhe 21.00. Më pas ato do të nisen përsëri me udhëtarët në bord drejt portit të Barit – thanë burimet.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet gjithashtu se dy tragete të tjerë, “AF Marina” dhe “Rigel III” sapo janë nisur nga Bari drejt Durrësit dhe pritet të mbërrijnë në portin më të madh të vendit tonë pas 8-9 orësh.

Deti i trazuar dhe era e fortë në brigjet e Italisë jugore kanë shkaktuar probleme gjatë 36 orëve të fundit për lundrimin normal të trageteve të linjës Bari – Durrës e kthim.