Era e fortë dhe deti i trazuar gjatë natës së kaluar e ka penguar nisjen e trageteve të linjës nga Durrësi drejt portit të Barit (Itali).
Në Dispeçerinë e APD, mësohet se tragetet “Rigel VII” dhe “AF Marina” kanë lundruar drejt portit Italian vetëm sot në mëngjes përkatësisht në orën 6:30 dhe në orën 7:45.
Sipas të njejtit burim, kushtet e vështira meteorologjike kanë shkaktuar vonesa edhe në nisjen e tragetit “AF Aurelia” nga Bari drejt Durrësit. “Trageti pritet të mbërrijë në Durrës sot rreth orës 16.00, me një vonesë prej afro 8 orë” – mësohet në Dispeçerinë e portit.
Ndërkaq, në Terminalet e përpunimit të mallrave të hënën në mëngjes ka nisur normalisht përpunimi i anijeve me mallra.
Nga Dispeçeria mësohet se rreth orës 11.00 u akostua anija “Neva Leader 1”, që do të shkarkojë 6,200 t grurë.
Anijet “Quaterdecies” me 2,700 t çimento; “Marmed” me 5,069 t melaminë dhe “Moon” me 3,300 tonë çimento po shkarkohen përkatësisht në molin 10, 4 dhe 1.
Gjatë ditës priten edhe dy anije të tjera, një nga të cilat me 5,200 tonë grurë, dhe një anije tjetër me 6,600 t qymyr.