Rreth 60,000 pasagjerë dhe 20,422 automjete kanë udhëtuar nga/ drejt Portit të Durrësit përgjatë muajit dhjetor 2022.
Referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, gjatë këtij muaji, tragetet e linjës Durrës-Bari/Ankona kanë sjellë në vendin tone mbi 42,530 pasagjerë ndërkohë që 16,500 udhëtarë kanë zgjedhur lundrimin me traget drejt porteve të Italisë fqinjë.
Një rritje e konsiderueshme e këtyre volumeve është reflektuar veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të muajit dhjetor të cilat kanë rikthyer pr festat e fundvitit me mijëra bashkëatdhetarë në vendin tonë nëpërmjet portit më të madh në vend.
Po të njëjtat burime saktësojnë se rritje e ndjeshme e volumeve të përpunimit të pasagjerëve pasqyrohet edhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës ku kanë lundruar me tragete rreth 50,350 pasagjerë në total duke shfaqur kështu një rritje me rreth 8,670 udhëtarë më shumë gjatë dhjetorit 2022.
Përgjatë kësaj periudhe një mujore rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trailerave dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve ku numërohen rreth 13,475 automjete dhe 6,950 kamiona dhe trailerë.
Ndërkohë është konfirmuar tashmë edhe rifillimi i lundrimeve të dyfishta të trageteve i cili do jetë në funksion të fluksit të udhëtarëve të përqëndruar tanimë në dalje, duke shënuar sërish një rritje të vigjilencës dhe angazhimit të instancave operuese në pikën kufitare kryesore të transportit detar në vend.