Ky fillim viti ka nisur me një trend konsistent rritës, sa i përket shifrave të hyrje-daljeve nëpërmjet lundrimeve me tragete nga/drejt Portit të Durrësit. Gjatë periudhës janar 2024 tragetet kanë kryer gjithsej 82 lundrime ose 6% lundrime më shumë në raport me të njejtën periudhë të vitit kaluar.
Në total tragetet kanë transportuar mbi 53 mijë pasagjerë, prej të cilëve 12,748 pasagjerë janë regjistruar në hyrje, ndërkohë që 40,510 pasagjerë kanë dalë nga pika kufitare detare kryesore në vend.
Referuar të dhënave analitike të APD-së, ky muaj i parë kalendarik ka shënuar një rritje progresive në masën 16%, sa i përket shtetasve të huaj të cilët kanë lundruar nëpërmjet Portit të Durrësit, shifër kjo e cila krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës dikton edhe një nisje premtuese për sezonin turistik të vitit aktual.
Të njejtat burime saktësojnë, se gjatë muajit që lamë pas, në Terminalin e Trageteve, janë përpunuar rreth 20 mijë automjete, të cilat kanë transportuar mbi 75 tonë mallra, duke shënuar mbi 12% më shumë mallra të përpunuara me tragete, krahasimisht me janarin 2023.