-Rusia 288 mijë importe, Egjipti 130 mijë ton mallra eksporti-
Gjatë vitit 2015 shkëmbimi i mallrave me anije nga porti i Durrësit ka vijuar në 16 vende të ndryshme të globit, nga shtetet fqinje deri në SHBA. Mallrat e shkëmbyera me anije tregtare me portet e Turqisë arrijnë 29 përqind të volumit të përgjithshëm. Më pas renditen Rusia me 22 përqind, Egjipti me 12 përqind dhe Libia me 10 përqind.
Sipas statistikave të përgatitura nga Sektori përkatës, anijet tregtare kanë sjellë në Durrës 977 mijë ton mallra importi dhe janë nisur drejt porteve të tjera me 360 mijë ton mallra eksporti.
Porti i Durrësit gjatë vitit të kaluar ka kryer shkëmbime me 66 porte në vende të ndryshme të botës.
Turqia, me 22 portet e saj që shkëmbejnë mallra me Durrësin dhe anasjelltas kryeson me 383 mijë ton listën e mallrave me anije, duke lënë në vendet nga i dyti te i katërti vende si Rusia, Egjipti dhe Libia. Më pas vijnë Italia, me 7 përqind të sasisë së përgjithshme të mallrave me anije; Greqia, Ukraina dhe SHBA me nga 4 përqind secila, e më pas Kina dhe Kroacia me nga 3 përqind të sasisë së përgjithshme të mallrave me anije tregtare.
Rusia është në vendin e parë për sasinë e mallrave të importit, me 288 mijë ton.
Eksportet udhëhiqen nga Egjipti me 130 mijë ton mallra shqiptare gjithsej.