Statistikat janar-mars 2017: 125 anije tregtare, shkëmbime me 40 porte në 15 vende të ndryshme

Në 3-mujorin e parë të vitit 2017 anijet tregtare kanë lundruar nga/drejt 40 porteve në 15 vende të ndryshme të Evropës, Azisë dhe Amerikës së Jugut.

Nga të dhënat ë Sektorit të Statistikave në APD numri më i madh i porteve me të cilat kryhen shkëmbime tregtare i takon Turqisë. Gjatë këtyre tre muajve anijet me mallra importi dhe eksporti janë ankoruar për përpunim në 12 porte të Turqisë, ndërsa vendi i dytë i takon Italisë me 7 porte përpunimi.

Anijet me mallra janë nisur gjithashtu edhe nga 4 porte të Rusisë, si dhe nga dy porte përkatësisht në Greqi, Kroaci, Tunizi, Egjypt dhe Francë.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Italia, Rusia, Turqia dhe Malta zenë vendet e para për shkëmbimet tregtare me portin e Durrësit. Porti më i madh i vendit në 3-mujorin e parë të vitit 2017 ka shkëmbyer 20 përqind të volumeve të përpunuara gjithsej në kalatat e tij me portet e Italisë, ndërsa përkatësisht 19, 14 dhe 12 përqind janë shkëmbyer me portet e Rusisë, Turqisë dhe Maltës.

Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 125 anije dhe 223 tragete me mallra, duke shënuar një rritje prej 11 përqind krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2016.