Mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit 4 anije të forcave luftarake detare të NATO-s, të cilat do të zhvillojnë në ditët në vijim një stërvitje të përbashkët me Forcat Detare vendase si dhe strukturën zjarrfikëse PMNZSH të portit detar më të madh në vend.
TCG Enez dhe ITS Numana ishin dy anijet të cilat u akostuan të parat në kalatat portuale, pjesë të flotave turke dhe italiane të angazhuara në operacionet e kërkim-çminimit të forcave aleate në Mesdhe dhe së fundmi edhe në ujërat territoriale vendase.
Ndërkohë flotiljes i është bashkuar edhe TCG YZB Gungar Durmus dhe HNLMS Makkum, dy luftëanijet e flotës turke dhe holandeze, ekuipazhet e të cilave do të asistojnë në stërvitjen e përbashkët që do të zhvillohet ditën e nesërme në bordin e anijeve me strukturën PMNZSH të Portit të Durrësit dhe Forcën Detare Shqiptare me fokus operacionet e kontrollit dhe reagimit kundër zjarrit në anije.
Katër anijet luftarake, pjesë të forcave të reagimit të shpejtë të NATO-s do të qëndrojnë për disa ditë në brigjet shqiptare ku do të zhvillojnë edhe stërvitje të tjera me trupat tona detare në kuadër të angazhimeve të përbashkëta në misionet e forcave aleate në tokë dhe det.