Gjatë stinës së verës në linjat detare nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës, Brindizit dhe Triestes (Itali) do të funksionojnë edhe tragete të tjerë, si dhe mjete lundruese me kapacitet të madh.
Sot në mbrëmje në linjën Durrës – Bari do të lundrojë për herë të parë trageti “Rigel 2”, çka do të shtojë kapacitetet akomoduese në shërbim të udhëtarëve. Ky traget ka një kapacitet të përgjithshëm prej 2 mijë udhëtarë (me 1200 shtretër) dhe 500 autovetura.
Siç është bërë e njohur në fund të këtij muaji në linjën Durrës – Bari dhe kthim do të punojë edhe një traget i kompanisë “Grandi Navi Veloci” GNV, e cila kohët e fundit ka marrë liçencën përkatëse nga ministria shqiptare e Transportit dhe Infrastrukturës. Kjo u bë e mundur pas takimeve intensive të drejtuesve italianë të GNV edhe me drejtues të APD.
Që nga 31 korriku 2015 trageti i GNV do të kryejë udhëtime të përditshme në verë (me nisje në orën 23.00 nga Bari dhe në orën 11.00 nga Durrësi), ndërsa më pas me tre lundrime në javë.
Gjatë vitit 2014 nëpërmjet portit të Durrësit lundruan me tragete afro 775 mijë udhëtarë.