Studentë dhe pedagogë nga Austria vizitë studimore në Autoritetin Portual Durrës 

29.06.2026 

Autoriteti Portual Durrës mirëpriti sot një grup studentësh dhe pedagogësh nga Austria, në kuadër të një vizite studimore të organizuar për t’u njohur nga afër me funksionimin e portit dhe zhvillimet më të fundit në sektorin detar. 

Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me historinë, rëndësinë strategjike dhe aktivitetin e Portit të Durrësit, si dhe me rolin e tij në ekonominë shqiptare dhe tregtinë rajonale. Një pjesë e programit iu kushtua prezantimit të proceseve të digjitalizimit, teknologjive të përdorura në operacionet portuale, sistemeve të sigurisë dhe inovacionit që po transformojnë industrinë detare. 

Vizitorët u informuan gjithashtu mbi aktivitetin e Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), programet e formimit profesional, mundësitë e praktikave dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore, me fokus përgatitjen e brezit të ri të profesionistëve të sektorit. 

Vizita vijoi me një tur në terminalet portuale, sallën e monitorimit, infrastrukturën portuale dhe zonat operacionale, ku studentët dhe pedagogët patën mundësinë të njiheshin nga afër me proceset e përpunimit të mallrave, organizimin e operacioneve dhe standardet e sigurisë të zbatuara në port. 

Kjo vizitë përbën një mundësi të vlefshme për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe sektorit detar, duke i njohur studentët me praktikat dhe zhvillimet bashkëkohore të industrisë portuale në Shqipëri.